News

Graduation Ceremony 2019

Realizohet me sukses të plotë ceremonia e diplomimit të maturantëve në gjimnazin tonë. “New York High School” përcjell, në një atmosferë plot ngjyra e tone miqësore, maturën e saj të tretë. Ky vit shkollor përuron maturën e parë nën drejtimin e Fondacionit turk “Maarif”. Kjo ceremoni u zhvillua në mjediset e Teatrit Art – Turbina, në praninë e përfaqësuesve të Fondacionit “Maarif”, drejtuesve të Universitetit, gjimnazit dhe shkollës 9 – vjeçare të New Yorkut në Tiranë, prindërve, maturantëve, miqve e të ftuarve të rastit.

Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili, ndër të tjera, theksoi për të pranishmit se: Mbështes gjithë punën e Fondacionit “Maarif” për plotësimin e nevojave dhe kërkesave të popullit vëlla dhe mik shqiptar në fushën e arsimit në të gjitha nivelet.

Në aktivitet përshëndetën edhe zv/ministri i Rinisë dhe Sporteve i Turqisë, Prof. dr Halis Yunus Ersöz; Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Shkëlqesia e tij Murat Ahmet Yörük; Anëtarja e Bordit Drejtues të Fondacionit “Maarif”, Prof. dr. Aşkın Asan; drejtorja e shkollës znj. Lidra Meidani dhe specialisti i vlerësimit për arsimin e mesëm të lartë z. Robert Gjedia, i cili ishte i ftuar në cilësinë e prindit të një maturanteje.

Nga ana e saj, profesoresha e Bordit Drejtues u shpreh se fondacioni “Maarif” e përcakton arsimin si një proces dinamik dhe të përhershëm të të mësuarit, që sipas saj do të lulëzojë ekzistencën kulturore dhe shoqërore.

Gjatë ceremonisë, rektori i “New York University of Tirana”, z. Ismail Kocayusufoğlu, akordoi një bursë të plotë, në këtë universitet, për maturanten me numrin më të madh të Olimpiadave Kombëtare, nxënësen Ajsel Toska.

Ky aktivitet u shoqërua me emocione të shumëfishta, foto e falenderime reciproke, mes prindërve, mësuesve e nxënësve, për të shënjuar mbylljen me sukses të një viti të mbushur plot sfida, arritje e punë këmbëngulëse për të arritur majat…. Sepse motoja e shkollës sonë vijon të mbetet “Per Aspera Ad Astra –Duke mësuar, arrin në yje”. Krenarë për maturantët e brezit të tretë të “New York High School”!